Në vitin 1967 në mesin e një grupi të rinjsh në Pallatin e Kulturës u gjend edhe një vajzë e re, e cila mes sportit dhe kërcimit zgjodhi këtë të fundit, pa e ditur se e ardhmja do t’i sillte emrin “Mbretëresha e valleve shqiptare”.
Ndarja e papritur nga jeta e Lili Cingut ka tronditur artin shqiptar dhe ka trishtuar zemrat e të gjithë miqve, kolegut dhe publikut që ajo e deshi dhe i kushtoi gjithë jetën e saj në skenë. Por çfarë e bënte kaq të veçantë Lili Cingun nga valltaret e tjera të talentuara të Ansamblit Kombëtar? Mjeshtri Zhani Ciko rrëfen për “Rudina” në Tv Klan copëza të ikonës së valleve shqiptare.
Zhani Ciko: Së pari, kur sheh një njeri rëndësi ka silueta që paraqitet dhe Lili kishte një hijeshi që edhe një shall i vogël kur e lidhte sikur i ndriste më shumë se sa duhej, se kujtdo tjetër. Nga ana tjetër ishte një vajzë pa shumë fjalë, pa e ngritur zërin ndonjëherë, gjithçka e kishte më të brendshme në ambient.
Për Lili Cingun, momenti kur do të spikaste do të ishte në Dizhon të Francës. Atje, një përfaqësues i lartë pikasi të renë e talentuar e cila do të merrte gjerdanin që e shoqëroi përgjatë gjithë jetës.
Zhani Ciko: Kur doli me gjerdanin në dorë, sigurisht që i tërhoqi vëmendjen kjo vajzë e re me atë qafën e gjatë ku gjerdani mungonte dhe iu adresua asaj dhe kjo fotografi e Lilit me gjerdanin në qafë është një bekim a një kurorëzim për këtë rol që ajo pak nga e pak e mori sepse me punën e saj, me talentin, përkushtimin dhe me kujdesin e madh të atyre që e patën në dorë në atë kohë, që punonin për këtë grup të ri, ndërtoi piedestalin e saj ku hipi gjatë gjithë aktivitetit të saj./tvklan.al