Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Edi Rama ka zbritur në lagjet e Tiranës, për të kërkuar votën në zgjedhjet për kryetar bashkie. Së bashku me kreun e Partisë Socialiste për Tiranën Musa Ulqini, me prefektin Taulant Dedja dhe me kandidatin socialiste për minibashkinë nr.8 Genc Tafaji, Rama iu ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se brenda një viti o do të ketë një Tiranë pa plehra ose ai vetë do të japë dorëheqjen për kryetar bashkie.

Kandidati i zonës 8, Genc Tafaji, iu ka premtuar qytetarëve qendra kreative, biblioteka të kompjuterizuara dhe një muze për familjet e vjetra tiranase. Ndërsa Rama në fjalën e tij u ka kërkuar ta votojnë si antikomunist, pasi PS është partia që ka luftuar e para frymën e totalitarizmit, ndryshe nga ç’ndodh në partinë e Berishës.

Edi Rama:- “Komunistin e pakorrigjueshëm, që dhjetë vjet pas vdekjes së partisë së Enver Hoxhës, nuk gjeti dot për elektoratin e djathtë, një kandidaturë më të mirë për Tiranën se sa ajo e një tjetër komunisti që na doli demokrat pas një stazhi të gjatë pune në gazetat e Enver Hoxhës dhe në institutin e së shoqes së Enver Hoxhës. Miq të dashur ky është paradoksi që duhet të marrë fund, në mënyrë që të marrë fund dhe monopoli i partisë së vjetër i punës, mbi të djathtën tradicionale apo mbi të djathtën moderne shqiptare”.

“Ata s’kanë të drejtë të kërkojnë votën, pasi në vitet e pushtetit të tyre nuk bënë asgjë”, janë shprehur socialistët, duke kërkuar besimin e qytetarëve të Tiranës./tvklan.al