Duam të ndryshojmë raportet e qeverisjes  me fshatin duke e parë atë si një burim mirëqenie për vendin. Kështu ka deklaruar kreu i PS Edi Rama në komunën Selenicë të Kolonjës.

Gjatë fjalës së tij ai sqaroi se një nga pikat kryesore të programit të ri dhe të PS do të jetë bujqësia dhe zhvillimi rural.

Edi Rama: “Do ta trajtojmë fshatin në mënyrë të posaçme, duke ngritur një ministri e cila do të jetë ministria e fshatit dhe do të quhet ministria e zhvillimit rural. Që do të trajtojë çështjen e madhe të mirëqenies së fshatit si një hallkë e pazëvendësueshme në zinxhirin e krijimit të mirëqenies së shoqërisë sot.”

Rama u ndal dhe tek premtimet e pa mbajtura të kryeministrit aktual për naftën pa akcizë.

Edi Rama: “Ka qenë një premtim i këtij kryeministri i cili ka vërtetë kurajën e një gënjeshtari të pashërueshëm që vazhdon të shkojë në fshat, vazhdon ti premtojë fshatit, pasi ka shkelur premtimin bazë të vitit 2005 lidhur me naftën. Ndërkohë që unë sot them me plot gojën bazuar mbi dëgjimin shumë të vëmendshëm të njerëzve që jetojnë në fshat dhe mbi analizën e ekspertëve tanë se nafta për prodhimin në fshat do të jetë pa akcizë.”

Sipas programit të ri qeverisës të socialistëve çdo biznes i ri agrar do jetë i përjashtuar nga tatim fitimi për 3 vitet e para. Në mënyrë që të lindin sa më shumë biznese të reja./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami