Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Takimin e tij elektoral në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Edi Rama e ka zhvilluar sot me përfaqësuesit biznesmenë të huaj që veprojnë në Shqipëri, si edhe me disa nga drejtuesit kryesor të bankave. Jam këtu, tha Rama, për të dëgjuar sugjerimet tuaja, si edhe mendimet konsulente që mund të jepni në fushën e biznesit, për të ndryshuar diçka në Tiranë.

Nëpërmjet platformës së tij elektorale, Rama i njohu biznesmenët e huaj me disa nga projektet që ai ka për të ndryshuar Tiranën dhe bashkinë e kryeqytetit. Ngritja e një komisioni biznesi, pranë kësaj bashkie, do të jetë tepër e rëndësishme tha Rama, si për biznesmenët shqiptar edhe për të huajt, sepse së bashku ne do të krijojmë atë që na mungon, ligjin ekonomik.

Pasdite kandidati për kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama është takuar me banorët e zonës nr. 5, në Selitë. Ai është shoqëruar nga deputetja socialiste në këtë zonë Ermelinda Meksi, si edhe nga kandidati për minibashki Luan Shehu. Edi Rama është shprehur tepër i kënaqur nga mikpritja që i bënë banorët në këtë zonë. Unë tha Rama, jam i kënaqur, që jam këtu mes jush, për më tepër që deputetja e zonës tuaj e ka justifikuar punën e saj./tvklan.al