Lajme Arkiva TV Klan 2000

Kandidati për kryetar bashkie i Tiranës, Edi Rama është takuar sot me përfaqësues të Organizatave Jo Qeveritare, që veprojnë në Shqipëri. Bashkëpunimin me OJQ-të, Rama e ka parë të rëndësishëm, në kontributin që ato mund t’i japin bahkisë dhe shoqërisë civile të kryeqytetit.

Edi Rama:- “Në strukturën e parashikuar të funksionimit të pushtetit vendor në Tiranë, kam paraparë krijimin e komisioneve qytetare, të cilat do të funksionojnë pak a shumë në të njëjtën mënyrë si komisionet parlamentare. Pasi për mua këshilli i ri bashkiak i Tiranës, do të jetë parlamenti i qytetit dhe në këto komisione prezenca e të gjithë faktorëve të shoqërisë civile, do të jetë shtylla vertebrale e punës”.

Për këtë bashkëpunim Rama, si Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ka sjellë shembullin e ndryshimit të punës në dikasterin që ai drejton. Vetëm dy vjet më parë është shprehur Rama, OJQ bashkëpunonin shumë pak, ndërsa sot financimi për projektet artistike dhe kulturore është rritur 28.4 herë.

Në këtë bashkëbisedim u diskutua problemi i qendrave rinore në mbarë vendin, që sipas Ramës janë kthyer në depo mallrash me shumicë, ose lojërash fati. Problemin e pastrimit të Tiranës, Rama e ka quajtur një çështje morale për të cilën duhet të kontribuojnë të gjithë./tvklan.al