Lajme Arkiva – TV Klan 2003

I ftuar nga socialistët e Vlorës në pallatin e kulturës, Edi Rama për herë të parë kritikon marrëveshjen Nano-Berisha.

Edi Rama:- “A jeni pyetur ju socialistët e thjeshtë, në Vlorë apo kudo qoftë, për paktin midis kryetarit tonë de kryetarit të opozitës. Jam kategorikisht kundër lëshimeve dhe marrëveshjeve, të cilat anëtarësia e thjeshtë i merr vesh nga televizori, ditën kur ato ndodhin. Lëshime dhe marrëveshje që nuk i sjellin asgjë të mirë PS dhe vetë vendit. Mund të shënojnë zhvillime historike brenda një force politike, por mund të shënojnë edhe dështime historike brenda një force politike, pa u konsultuar me anëtarësinë, pa hapur një debat brenda familjes tonë politike, nuk bëjmë asgjë tjetër veçse ju themi socialistëve të thjeshtë, ju na duheni ditën e zgjedhjeve”.

Rama kritikojë zhurmën gjoja patriotike në Himarë. Ai theksoi se problematika e këtyre zgjedhjeve, vjen nga keqadministrimi i zonës bregdetare.

Edi Rama:- “Ja dita e zgjedhjeve në Himarë, a mjafton të tundësh flamurin kombëtar ditën e zgjedhjeve? A mjafton të artikulosh fjalorin patriotik ditën e zgjedhjeve, kur për katër vjet nga zgjedhja në zgjedhje s’ke bërë asgjë, që atë ditë të jesh fitimtari”.

Partia Socialiste po ecën drejt rrugës së dështimit, i vetmi shpëtim sipas Ramës është hapja e dyerve nga lart, ndaj debatit dhe autokritikës. Duhet thënë e vërteta, sepse vetëm kështu PS do të jetë një parti popullore. Edi Rama theksoi, se kandidimi i tij nuk është për ambicie personale, ndaj dhe gara elektorale, nuk konceptohet me shigjeta helmi ndaj njëri-tjetrit.

Edi Rama:- “Duke u munduar të mbajmë pushtetin e vogël personal, po humbasim pushtetin e madh të të gjithë socialistëve. Ju e dini shumë mirë se çfarë ndodh sot në prag të kongresit, e shikoni shumë mirë se si miqtë tanë, shokët tanë, vëllezërit tanë kanë një vështrim hermetik, pa pasur kurajën të thonë gjë tjetër, përveçse, na falni, po ne nuk shfaqemi dot. Në se kemi ardhur deri këtu, në një krizë qeverisje, të cilën çdo ditë që mundohemi ta fshehim, e mohojmë, duke kërkuar armiq të brendshëm, duke kërkuar forca të errëta, duke kërkuar grupe diversantësh brenda partisë, aq më shumë humbasim kohën dhe shanset për ta zgjidhur”.

Por sa është duartrokitur platforma Rama, jashtë dyerve të Pallatit të Kulturës.

Qytetarja e Vlorës:- “I urojmë Edi Ramës dhe socialistët të mbledhin kokrrën e mendjes, se s’ia ka borxh populli që të merren me thashetheme duke bërë ato tryeza të rrumbullakëta dhe pas gardhit, por t’i dalë për zot këtij populli që i ka dhënë besën”.

Qytetari i Vlorës:- “Garë është kjo? Kjo s’është garë”.

Qytetari i Vlorës:- “Më tepër e vlerësojë Edi Ramën, si një njeri që vlerëson partizanët, veteranët, njerëzit e thjeshtë të punës”.

Qytetarja e Vlorës:- “Ai jo vetëm për Tiranën, por ai ka bërë dhe do të bëjë për Shqipërinë”.tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj