Egnatia rikthehet të marrë kreun e Superligës Shqiptare. Kampionët në fuqi të vendit mposhtën minimalisht 1-0 Skënderbeun për t’u katapultuar në majën e renditjes provizore të javës së 17-të. Një gol i mjaftoi rrogozhinasve për të thyer korçarët, të cilët pësojnë humbjen e parë në epokën Ernest Gjoka. Golin vendimtarë të këtij takimi e shënoi Regi Lushkja në minutën e 50-të, ku shndërroi në gol një penallti të fituar nga kampionët.

Një lojë e luftuar mes dy ekipeve, teksa nuk munguan edhe ndërhyrjet e ashpra. Albi Doka u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 58-të për t’ia bërë akoma dhe më të vështirë misionin Skënderbeut. Korçarët vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e fundit të renditje. Pas kësaj fitoreje Egnatia shkon në kuotën e 30 pikëve dhe merr vendin e pare, me Partizanin që ka edhe një ndeshje për të zhvilluar.

Laçi dhe Dinamo barazuan pa gola në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Kurbinit, përfundoi në barazim  0-0, e ku rastin më të mirë e kishte kapiteni i Laçit, Melo, i cili shpërdoroi një penallti. Me këtë barazim, Laçi shkon në kuotën e 17 pikëve dhe mbetet në vendin e 8-të. Në krahun tjetër, Dinamo e Ilir Dajës me 28 pikë mban vendin e 3-të në tabelën e renditjes.

Klan News