Lajme Arkiva – TV Klan 2004
3.2 ton ushqime të skaduara janë asgjësuar në Elbasan. Vendimin e ka marrë një grup pune i përbërë nga specialistë të drejtorisë së shërbimit parësor, asaj të kontrollit të ushqimeve, si dhe të drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit. Analizat kanë treguar se konsumi i ushqimeve përbënte rrezik për qytetarët.
Ushqimet e skaduara janë pije freskuese, lëngje frutash, ushqime të konservuara etj. Sipas drejtoreshës së shërbimit parësor në Elbasan, Destantila Tahiraj, ushqimet e skaduara janë identifikuar nga kontrollet e ushtruara ditët e fundit në subjekte të ndryshme prodhuese dhe tregtare. Pak ditë më parë, i njëjti grup kontrolli bllokoi 5 baxho të përpunimit të qumështit, asgjësoi dhjetëra kuintal akullore, si dhe ndëshkoi me gjobë mjaft subjekte që nuk plotësonin kushtet sanitare të tregtimit.
Ndërkohë në Durrës janë bllokuar 12 pika të shitjes së karburanteve dhe 5 pika të shitjes së gazit të lëngët. Ky ishte rezultati i aksionit të përbashkët të Inspektoratit Shtetëror të Kontrollit Naftës e Gazit dhe policisë bashkiake të këtij qyteti. Këto pika të cilat prej vitesh ushtronin aktivitetin e tyre nuk kishin leje të shfrytëzimit nga organet përkatëse, e nuk plotësonin kushtet e normat teknike.
Aksioni që do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, sot u përqendrua përgjatë murit rrethues të portit detar në Durrës./tvklan.al