Rrezikohet një tjetër përplasje me Rusinë
Turqia do të dërgojë ushtrinë në Libi, për të mbrojtur Tripolin që është nën kontrollin e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, nga rrethimi militantëve rebelë të ish-ushtarakut Kalifa Haftar. Duke folur para deputetëve të partisë së tij në Ankara, Erdogan njoftoi se do të paraqesë në parlament për votim më 8 dhe 9 janar, planin për dërgimin e trupave në Libi.
Por ky vendim mund ta fusë Turqinë në një konflikt ushtarak me Rusinë, më të cilën ka pasur një bashkëpunim ushtarak tepër suksesshëm vitet e fundit. Moska mbështet trupat rebele të gjeneralit Haftar.
“Ata që mbështesin komandantin puçist me avionë e tanke dhe po ashtu i paguajnë ushtarët, kundërshtojnë hapat tona. Rusia aty është e pranishme me 2 mijë trupa të njësisë Vagner, që konsiderohen forca sigurie. Nga Sudani ka 5 mijë trupa. Si është e mundur kjo”?
Qeveria e kryeministrit Fajez al-Serraj i kërkoi zyrtarisht Turqisë, ndihmë ushtarake në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në shtator si në rrafshin ushtarak ashtu edhe për kufijtë detarë në Mesdhe.
Pas rënies së regjimit të Gedafit në 2011-ën, ish-ushtaraku Kalifa Haftar nisi një fushatë për marrjen e pushtetit, duke vendosur kontrollin në pjesën më të madhe të Libisë, kryesisht në lindje dhe jug të vendit ku ndodhen zonat më të mëdha naftëmbajtëse.
Aktualisht, ushtria kombëtare libiane, siç quhet grupi i tij i militantëve ka pushtuar periferinë e jugore të Tripolit dhe synon të marrë kontrollin përfundimtar të kryeqytetit.
Tv Klan