Një ditë pas alarmit të vënë nga administratori i Shëngjinit dhe banorët, se bregdeti i Kunes po përpihet nga deti, ka reaguar Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Në një intervistë për Televizionin Klan, Drejtori i kësaj agjencie Zamir Dedej shprehet se ekspertët janë në terren për verifikimin e sasisë se pishave të rrëzuara, ndërsa pohon se shkaqet e këtij erozioni janë edhe si pasojë e ndërtimeve pa kriter dhe prishjes së ekuilibrave natyrore.
“Problemi është që ajo zonë ka pasur një impakt goxha negativ nga ndërtimet që janë bërë si në zonën midis rrugës dhe bregdetit dhe në zonën kënetore moçalore që është mbas rrugës, të cilat duhet analizuar me kujdes se çfarë impakti kanë dhënë në prishjen e ekuilibrave natyrorë në këtë zonë. Gjithashtu po ta shikosh gjithë grykëderdhjen e Drinit të vjetër, që ne i themi Zona e Kune Vainit mendoj që ndërtimi i një dallgëthyesi që është bërë përpara mund të ketë dhënë efektet jo të kënaqshme për këtë zonë. Ne kemi qenë si zonë e mbrojtur kundër ndërtimit dhe them që ta shikojmë problemin për ta zgjidhur”.
Ndërtimi i një dallgëthyesi i kërkuar nga autoritetet vendore, sipas Dedejt nuk mund të bëhet pa një studim të thelluar.
“Është shumë e vështirë që të themi që ndërtimi i një dallgëthyesi mund të zgjidhë problemin. Ndërtimi i këtyre dallgëthyeseve duhet bërë në bazë të studimit të plotë për të parë se si dhe në çmënyrë do të ndalojmë prurjet e ujit për të ardhur në zonën bregdetare dhe si do të bëhet pastaj që kjo tokë të rimbathet, të riakumulojë rërën që ka humbur”.
Prishja e ndërtimeve përgjatë brezit të rërës dhe bregut, sipas Drejtorit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, do të sillte një impakt pozitiv, e po ashtu ai sheh me vend edhe mbjelljen e pemëve që i janë hequr ndër vite.
Tv Klan