Ekspozimi i lëkurës në diell përgjatë muajve të nxehtë të verës ka përfitimet e saj por nuk përjashtohen rreziqet që i shkaktohen nëse marrim rreze në orët e pikut. Olti Shulla, parukieri dhe grimieri i njohur sugjeroi në “Shije Shtëpie” në Tv Klan që përpara se të shkojmë në plazh, një alternativë janë disa seanca solari për të minimizuar djegien nga dielli dhe dëmtimin e lëkurës.

Farmacistja Teuta Maçi u shpreh se studimet shkencore nuk e përkrahin metodën e solarit, një koment që u pasua nga kundërshtimi i Shullës.

Teuta Maçi: Mua më mbeti mendja vetëm te pjesa e solarëve që aplikohen përpara se të fillojë sezoni i plazhit. Në përgjithësi, kohët e fundit gjithmonë e më shumë studimet shkencore tregojnë që janë shumë të dëmshme për lëkurën.

Olti Shulla: Jo, ti nuk ke informacionin e saktë mendoj unë sepse sot jam bërë unë shumë më me informacion që do të thotë unë kam blerë vjet solarët e fundit që janë me vitaminë D dhe kolagjen, që do të thotë janë më të rekomandueshmit.

Teuta Maçi: Jo për kremrat…

Olti Shulla: Jo, solar për t’u nxirë, s’ka lidhje me kremrat, solar “letto” dhe “doccia” që nxihesh shtrirë ose në këmbë. Janë më rezultativët që do të thotë gjithë vendet nordike dhe vendet e ftohta i kanë nxjerrë kastile dhe është programi më i ri, më i fundit që ti mund të nxihesh shëndetshëm me vitaminë D dhe kolagjen. Madje është më rezultativ dhe është më pak i dëmshëm se sa një diell që ne dalim në orën 11 apo 12 që ekspozojmë trupin në plazh deri në orën 4 dhe kjo është nxirje e shëndetshme që quhet dhe këtë gjë e di unë dhe nuk dua të të përmend markat, por po të shohësh “review” do të thotë që është solari më i fundit.

Grimieri cilëson se solarët e vjetër që konsiderohen të dëmshëm nuk lejohen më në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, duke qenë se Shqipëria nuk është pjesë e saj, ai shton se shumë sallone përdorin ende modele të vjetra ndaj duhet patur kujdes për vendin që zgjidhni.

Biseda mes tij e farmacistes iu rikthye kursit të mëparshëm dhe këtë herë, Shulla përmend edhe trajtimin e psoriazës (sëmundje e lëkurës) me solar në spital.

Teuta Maçi: Problemi është që studimet shkencore të cilat vijnë nga BE dhe vijnë nga Amerika tregojnë…

Olti Shulla: Jo, e ke të gabuar. Edhe diçka tjetër të lutem, sepse kam shumë informacion. Edhe këtu në QSUT ka solar,  ka solar te dermatologjia, ka solar për psoriazën. Ja tamam, solar si tanët, janë të vjetër është çështje tjetër se nuk e kam këtë informacion dhe shkon për psoriazën sepse psoriaza donte diellin, vitaminën D, ujin më duket dhe ndërkohë këta e aplikojnë, në momentet e dimrit ti nuk ke ku shkon kur ke probleme nëpër këmbë ose nëpër duar me psoriazë dhe i fusin në solar. Tani këtë ma thuaj në bazën shkencore që juve po thoni.

Teuta Maçi: Tani unë do vazhdoj bisedën me Katerinën./tvklan.al