Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot Shkodrën ku një 20-vjeçar, i identifikuar si Paulin Preka është gjetur i vrarë në banesën e tij. Ka qenë xhaxhai i viktimës që e ka konstatuar të riun në oborrin e banesës së tij të qëlluar disa herë me armë zjarri.
Lidhur me ngjarjen, xhaxhai i viktimës ka folur për mediat, i cili shprehet se djali nuk kishte probleme, si dhe as familja. Xhaxhai shprehet se i riu jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë. Djali shkonte dhe vinte nga Dukagjini ku atje merreshin me bujqësi dhe blegtori, teksa shton se familja nuk kishte hasmëri.
Pjesë nga intervista:
-Si e morrët vesh lajmin?
Xhaxhai i viktimës: E kam marrë vesh para 20 minutash. E kanë vrarë, më ka ardhur fjala e kanë therrur tek shtëpia në Guci. Sa u bëra gati kam ardhur.
-Kishte probleme?
Xhaxhai i viktimës: Asnjë problem nuk di që ka pasur, as të keqe me njeri nuk kemi.
-Me kë ka jetuar?
Xhaxhai i viktimës: Ai ka jetuar me babin dhe me vëllain e vet në Dukagjin shumicën e kohës. Është ulur ka parë nga shpia ça bëhet.
-Prej sa kohësh jetojnë këtu?
Xhaxhai i viktimës: Ka 15 vjet, që ka bërë shtëpinë. Ka nejt herë në Dukagjin dhe herë këtu, po shtëpinë ka 15 vite që e ka këtu.
-Po në Dukagjin me çfarë merret?
Xhaxhai i viktimës: Në Dukagjin ka disa bagëti, punon tokën aty.
-A është njohur si person problematik?
Xhaxhai i viktimës: Jo, 17, 18 vjeç nuk është bërë as për mirë as për keq.
-Keni dyshime, çfarë mund të ketë ndodhur?
Xhaxhai i viktimës: Nuk e di?
-Gjendja ekonomike si është?
Xhaxhai i viktimës: Diçka, dy fëmijë të vegjël ka pasur. Ka ngrënë një kafshatë bukë me sforcim. Është rritur vetëm me babë dhe detyrimisht me probleme si gjithë të tjerët. Duhet zbardhur ngjarja. Shteti merr vetë masat e veta.
/tvklan.al