Nuk e ka kursyer asnjëherë në publik mendimin e tij se nuk ka asnjë arsye që kapitujt e negociatave me Shqipërinë të vazhdojnë të mbeten pa u hapur. Edhe në fjalën e tij në Forumin Liberal Europian në Sofje, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheji i kujtoi edhe një herë Bashkimit Europian se negociatat me Shqipërinë duhen hapur, duke lënë të kuptohet se Shqipëria nuk ka pse të presë Maqedoninë e Veriut.

“Kemi përfunduar procesin “Screening” me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presim të hapim kapitujt e parë për Shqipërinë. Jemi gati të përparojmë në këtë drejtim edhe me Maqedoninë e Veriut, sapo të përmbushen kushtet”.

Në prag të zgjedhjeve europarlamentare të Qershorit, Varheji tha se zgjerimi i unionit me vende të reja anëtare është një prej çështjeve kryesore të diskutimit.

Varheji e konsideron si investimin më të madh gjeostrategjik afrimin e rajonit që ndodhet në kufijtë e unionit me Bashkimin Europian.

Sipas tij, kjo do ta mbronte Ballkanin Perëndimor nga krizat si ajo e Ukrainës, që kanë shtuar rreziqet për sigurinë e Bashkimit Europian. Për këtë aryse, ai u bëri thirrje vendeve anëtare të mos e humbin këtë moment, sipas tij historik.

Tv Klan