Acari siberian që ka përfshirë Europën, nisi të shkaktojë viktimat e para. Një grua e moshuar ndërroi jetë në një ambulancë të bllokuar në dëborë, në komunën Kaltaniseta në Siçili. Ajo nuk mundi t’i mbijetojë të ftohtit dhe pësoi një krizë kardiake.

Në disa rajone të Italisë transporti është i bllokuar, ndërsa në të tjera qarkullimi me zinxhirë është i detyrueshëm. Krahas rajoneve veriore të vendit fqinj, dëbora dhe ngricat kanë pushtuar edhe jugun.

Në Greqi gjithashtu numërohen viktima si pasojë e motit të keq. Një grua u gjet e pajetë brenda makinës së saj në rajonin e Oraiokastro, pranë Selanikut. 2 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur prej së premtes.

Moti i keq ka goditur thuajse të gjithë Europën Lindore. Në Poloni tre metereologë mbetën të bllokuar nga dëbora në një stacion në malet Tatra. Ata arritën të shpëtonin duke gërmuar me duar dhe duke zbritur në luginë. Acari i ardhur nga Rusia, ka përfshirë gjithashtu Francën, Britaninë e Madhe dhe gadishullin Iberik.

Tv Klan