Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Në takimin me socialistët e Fierit ish-kryeministri Nano ka hedhur dritë mbi atë që ndodhi një vit më parë ne Tiranë ndaj institucionit që ai drejtonte.

Fatos Nano:- “Në 14 Shtator kërkohej koka e Fatos Nanos edhe fizikisht. Natyrisht Fatos Nano që pranoi të bëj burg me dëshirë për të shporrur regjimin e Berishës, duke krijuar simbolikën dhe solidaritetin përkatës të socialistëve kundrejt një padrejtësie kaq flagrante. Kur futet kryetari i opozitës në burg asnjë propaganda nuk ngjit më se po ndërtojmë demokraci. Por një njeri që bën burgun me vullnet politik, nuk mundet të largohet nga frika prej zyrës, aq më tepër një njeri që mori vetë me kërkesën dhe me mbështetjen e gjithë partisë detyrën më të vështirë në shtetin e ri, detyrën e kryeministrit. Qeveria Majko ka ndihmuar strukturat e armatosura të Bukoshit në Shqipëri, për trafiqe armësh për armatosje, për stërvitje në bazat e territorit shqiptar dhe për të krijuar një influencë politike të Bukoshit në Kosovë. Flas për Bukoshin sepse ai është i evidentuar nga shërbimet sekrete shqiptare dhë nga shërbimet e UÇK-së që strukturat dhe njerëzit e tij kanë marrë pjesë në ngjarjet e 14 Shtatorit për të rrëzuar qeverinë Nano”.

Në takimet në fshatin Cakran dhe në qytetin e Fierit, Fatos Nano ka shpalosur idetë e tij për ta rikthyer atë në krye të partisë në Kongresin e 3. Në krah të tij në takimet me bazën socialiste kanë qenë deputetët Petro Koçi, Jonuz Bega, Liza Hoxha dhe deputet të tjerë. Ish-Ministri i Rendit Petro Koçi ka shprehur hapur përkrahjen e tij për kandidaturën e Fatos Nanos për kryetar të PS. Nano ka bërë thirrje për ripertëritjen e PS nga organizatat bazë deri në qendër./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame