Së shpejti Partia Socialiste do të mbledhë Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të saj. Puna e bërë gjatë tre viteve nga Aleanca për Shtetin, do të jetë në krye të debatit socialist. Në këtë takim socialistët do të bisedojnë dhe për punën e ministrave të veçantë të kabinetit Meta. Për Televizionin Klan është prononcuar sot kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano:

Gazetarja: Zoti Nano si do të konkludojë shqetësimi i Kryeministrit Meta i përcjellë në mbledhjen e fundit të kryesisë për Ministren Shuli. Në bazë të këtij shqetësimi Meta është shprehur që ka konsumuar shumë orë në ditë me ministren dhe stafin e saj dhe nuk ka rezultat. Do të kemi ndryshime në qeveri?

Fatos Nano: Ne kemi dëgjuar vazhdimisht me shqetësimin dhe vëmendjen e duhur analizat dhe informacionet që Kryeministri Meta ka ndarë në kryesinë e partisë dhe me mua si kryetar i saj për nevojën e përballimit më të mirë në racionalitet, më me shumë rezultate dhe është detyra e vetë qeverisë dhe në sektorin që ju përmendni, në sektorin e infrastrukturës.

Nano më tej pohon se Meta do të vazhdojë të ketë mbështetjen për të gjitha veprimet që mënjanojnë shpenzimet në kohë.

Gazetarja: Zoti Nano keni shumë kohë që jepni mbështetje Metës. Kur do ta nxjerrë Meta në pah mbështetjen tuaj?

Fatos Nano: Meta në pah e ka bashkëpunimin e frytshëm dhe krejt partnerial me mua dhe me partinë e tij dhe nëqoftëse ju prisni ndryshime që skanë ndodhur unë jam këtu për të ju sjellë në vëmëndje që ndryshimet ndodhin vazhdimisht./tvklan.al