Kristjan Asllani prej kohësh ka konfirmuar se do të qëndrojë tek Interi, por emri i tij vazhdon të lakohet në merkato.
Interesimet për mesfushorin shqiptar kanë qenë të shumta, në Serinë A, por edhe jashtë Italisë.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat pranë klubit zikaltër, bëhet me dije se Fiorentina vazhdon të insistojë për Asllanin. Futbollisti kuqezi pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit nga Firence, që kanë propozuar një shkëmbim.
Fiorentina i ka ofruar Interit mesfushorin Sofyan Amrabat në shkëmbim, për të marrë Asllanin. Megjithatë te Interi ishin të prerë në përgjigjen e tyre. Zikaltërit nuk janë të interesuar për Amrabat dhe kanë refuzuar menjëherë.
Kampionët e Italisë, besojnë tek Asllani, si zëvendësuesi ideal i Hakan Calhanoglu. Në krahun tjetër, 22-vjeçari shqiptar, shpreson të ketë më shumë minuta në dispozicion në sezonin e ri. /tvklan.al