11 milion Euro do të dhurohen nga qeveria e Katarit për realizimin e sheshit fundor te Bulevardi i Ri në Tiranë. Marrëveshja e grantit u firmos këtë të mërkurë nga Bashkia e Tiranës dhe Fondi për Zhvillim i Katarit.

Kryebashkiaku Veliaj thotë se ky shesh që do t’i mbetet kryeqytetit për qindra vite shërben edhe si një lidhje organike me Kamzën.

“Është një projekt, i cili do të mbetet këtu për shekuj me radhë. Me këtë donacion bujar, një grant prej 11 milionë Eurosh, do të kemi mundësinë të bëjmë një punë cilësore, që do t’i ngelet Tiranës për qindra vite, ashtu siç edhe miqësia mes Shqipërisë dhe Katarit do të vazhdojë me qindra vite. U jam vërtet mirënjohës  sepse ky është një nga grantet më të mëdha që ka marrë qyteti i Tiranës që prej themelimit”.

Përveç hapësirave argëtuese dhe çlodhëse për të gjitha grupmoshat, sheshi do të ketë edhe 200 vende parkimi nëntokë.

Projekti i prezantuar është shpërndarë në rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama. Në formë falenderimi, sheshi fundor i Bulevardit të Ri do të mbajë emrin e Katarit.

Tv Klan