Kanë mbetur edhe 10 ditë nga Euro 2024. Ditën e hënë Shqipëria zhvilloi një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin për të parë formën e ekipit dhe rezultati 3-0 tregoi një gjendje të mirë të lojtarëve.

Ish-futbollisti Sulejman Demollari u shpreh në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se ishte një ndeshje e kënaqshme edhe teknikisht. Sipas tij, lojtarët ishin të angazhuar dhe mes tyre veçoi 3 emra që i pëlqyen edhe nga paraqitja fizike.

“Mund të them që jam mjaft i kënaqur. Kjo është një ndeshje  stërvitore, as diskutohet, një ekip i dobëët, por unë pashë angazhimin. Lojtarët kishin një dëshirë për të bërë më të mirën, edhe pse ndeshje miqësore. Shoh një grup mbi të gjitha, siç e kemi thënë që trajneri Sylvinho po e tregon dorën, po e tregon entuziazmin që ka dhënë në ekip, ka formuar një grup që është ajo fjala “të gjithë për një”. Mua më kënaqën, ishin në gjendje shumë të mirë. E shoh nga ana teknike, Broja, Bajrami, Asllani edhe fizikisht më pëlqyen. Grupi është në gjendje të mirë”.

Në vijim të vlerësimin për punën e Sylvinho-s për të formuar shpirtin e skuadrës, ai shtoi:

Ata hyjnë të gjithë të japin maksimumin e tyre secili, lënë shpirtin ose zemrën në fushë”.

Në këndvështrimin e Demollarit, pavarësisht se grupi me të cilin konkurron Shqipëria është i vështirë, ka shanse për të arritur rezultate pozitive.

“Me një përkushtim të secilit, të japë edhe mbi 100%, pse jo, mund të marrim rezultate të mira”.

Ndeshjet e Euro 2024 mund t’i ndiqni ekskluzivisht dhe pa pagesë në ekranin e Tv Klan./tvklan.al