Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shtyrë përsëri nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë. Megjithëse ishte deklaruar se kjo marrëveshje do të shyrtohej nga bordi i drejtorëve të FMN-së dhe Bankës Botërore në datën 4 Shkurt, drejtori për Europën në FMN, zoti Depler, i ka drejtuar një letër kryeministrit Nano, Ministrit të Financave Islami dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani, në të cilën pasi vlerësohen plotësimi i kushtit për heqjen e “duty free shops”, shpreh shqetësimin, se qeveria shqiptare nuk po bën përpjekje serioze për të luftuar korrupsionin.
Ajo po cenon seriozisht integritetin e institucioneve dhe po bën emërime të pakuptimta në administratën publike. Sipas tij, rasti më ekstrem është ai i emërimit të drejtorit të përgjithshëm të doganave, siç thuhet edhe në një artikull të gazetës “Financial Times”. Për drejtorin e FMN, këto probleme konsiderohen shumë serioze për realizimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe FMN-së.
Ne tërheqim vëmendje, nënvizon ai në letër dhe jemi në pritje të reagimeve dhe reflektimeve për këto çështje, duke lënë memorandumin me Shqipërinë në tentativë për fillimin e muajit Mars./tvklan.al