Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve në Policinë e Shtetit, ka publikuar listën dhe pikëzimin e kandidatëve për drejtor të Drejtorive Vendore të Policisë së Shtetit. Komisioni pasi ka dëgjuar platformat e secilit prej tyre, ka renditur të parin Vilson Balën më 91 pikë dhe i fundit është renditur në vendin e 38-të Izet Hysa.

Në total ishin 38 kandidatë për 12 drejtoritë vendore të policisë. Ata do të përcaktohen mes 15 emrave të parë, pasi në rregulloren e policisë, thuhet se në garë janë të gjithë ata, të cilët marrin më shumë se 70 pikë. Uniformat blu bëjnë me dije se 3 kandidatët Artur Shira, Dritan Malaj dhe Lorenc Shehu nuk u paraqitën në fazën e intervistës.

Sipas ligjit konkurrentët kanë të drejtën e ankimimit brenda 2 ditësh nga momenti i publikimit në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit të vendimit me vlerësimin përfundimtar të secilit. Pasi të përfundojë edhe faza e ankimeve, ku mund të bëhen edhe rivlerësime të pikëve për ata që do të bëjnë ankim, më pas do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili do të bëjë edhe emërimet e 12 drejtorëve të rinj në qarqe.

Klan News