Një grua u gjet e vrarë në një banesë në rrugën Gjon Muzaka në kryeqytet. Ajo është një 24-vjeçare nga Palestina, e cila kishte ardhur në Shqipëri me bashkëshortin e saj.
Fadi dhe Rayyan Alvvan kanë mbërritur në vendin tonë në mes të muajit Shkurt dhe në datë 19 kanë marrë me qira një banesë në këtë ndërtesë tre katëshe. Në trupin e saj policia konstatoi plagë të shkaktuara nga një mjet prerës.
“Autor i kësaj ngjarje dyshohet se pasi ka marrë sendet personale dhe mjetet e identifikimit është larguar nga Shqipëria”, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.
Ishin pamjet e kamerave të sigurisë dhe verifikimi në sistemin TIMS që zbuloi identitetin e viktimës dhe autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, bashkëshortit të saj.
Ishin pronarët e banesës të cilët lajmëruan policinë, pasi dy bashkëshortët prej ditësh nuk hapnin apartamentin. Ata kishin kërkuar mjetet e identifikimit të tyre, por nuk ua kanë vënë në dispozicion me pretendimin se do ti jepnin në ditët në vijim. Këtë të enjte pronarja e banesës u trokiti sërish në derë, por nuk iu përgjigj njeri. E gjendur në këto kushte ajo ka njoftuar policinë.
Policia ka dyshime se 24-vjeçarja është vrarë gjatë dy ditëve të fundit, megjithatë kjo do të përcaktohet nga ekspertiza në Institutin Mjekoligjor, ku dhe trupi i viktimës është dërguar.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.
Klan News