Gjirokastra po mirëpret edhe në këto ditë të dimrit vizitorë vendas e të huaj. Qyteti i gurtë tashmë është kthyer në një atraksion me turizëm gjatë të 4 stinëve të vitit

“Gjirokastra tashmë është kthyer në një qytet muze, ku vizitorët si të huaj dhe vendas e preferojnë dhe e frekuentojnë qytetin tonë pothuasje gjatë gjithë vitit, sigurisht sezoni turistik i pranverës fillon tani në Mars, por edhe gjatë dimrit numri i atyre që kanë vizituar Gjirokastrën ka qenë i kënaqshëm”, tha Alisa Gushi, drejtore e Agjencisë së Turizmit në Gjirokastër.

Por cilat janë objektet dhe zonat më të preferuara?

“Kalaja, Muzeu Etnografik, Muzeu Kadare, Muzeu i Luftës së Ftohtë, Pazari karakteristik për të cilat vizitueshmëria është shumë e lartë dhe interesi i atyre që vijnë është shumë i lartë për t’i vizituar”, tha Alisa Gushi.

Autoritetet po bëjnë gati kalendarin e aktiviteteve për sezonin e ri ndërsa po bëhen përgatitje edhe në aspekte të tjera që lidhen me informimin e vizitorëve

“Ajo që ka më shumë rëndësi është përgatitja e fletëpalosjeve, pra për një mirëinformin për të gjithë vizitorët që vijnë në qytet, duke nisur nga hartat, nga pikat turistike që duhet të vizitojnë, nga mënyra për të lehtësuar lëvizjen e tyre nëpër qytet”, tha Alisa Gushi.

Gjirokastra gjatë vitit 2024 u zgjodh nga mbi 700 mijë vizitorë vendas e të huaj.

Klan News