Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Pas një muaj pushime, sot Gjykata e Faktit Tiranë ka filluar përsëri funksionimin normal me seanca dhe procese gjyqësore. E hëna e parë e Shtatorit, ka rikthyer gjyqtarët e faktit në zyrat e tyre për të hapur dhe një herë dosjet penale e civile që presin të marrin fund me një vendim qjyqësor. Edhe në hyrje të gjykatës sot janë publikuar listat për seanca gjyqësore të secilit gjyqtar.

Korridoret e gjykatës pas një muaji me pushime janë populluar sot përsëri nga gjyqtarët, avokatët, e për më shumë qytetarë të thjeshtë që sot i janë rikthyer sallave gjyqësore, me shpresën për t’u dhënë fund sa më shpejt halleve të tyre mbi pronat, divorce, mosmarrëveshje etj.

Sot në gjykatë janë çelur seancat civile, por gjatë javës në bankat e të akuzuarve do të ulen edhe emrat e dëgjuar me akuza të rënda publike, për vrasje, banda, kryengritje e mashtrime. Shemsie Kadria dhe dy boss-ët e tjerë të firmës Gjallica, do të rifillojnë të gjykohen përsëri nesër, ndërkohë që pritet që brenda pak javësh ky proces të marrë fund.

Po nesër do të rifillojnë dhe proceset për personat e akuzuar për kryengritje të armatosur. Dy vjet pas 14 Shtatorit të vitit 98, proceset për këtë akuzë vijojnë me zvarritje për mungesë dëshmitarësh. Gjatë kësaj jave do të rifillojnë edhe proceset për Nehat Kullën, Genc Ferhatin, ndërkohë që dosja për vrasjen e burgut dhe për vjedhjen e thesarit, këtë javë pritet të dorëzohet nga organi i akuzës në Gjykatën e Faktit të Tiranës./tvklan.al