Ish-Presidenti Ilir Meta do të vazhdojë të qëndroj në qeli. Gjykata e Lartë në dhomë këshillimi vendosi që të linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të datës, 19 nëntor 2024, që konfirmoi masën e sigurimit personal arrest në burg.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, shqyrtoi në dhomë këshillimi argumentat e paraqitur nga mbrojta e Metës, por në fund e gjeti të drejtë vendimin e Apelit të Posaçëm.

Në rekursin dorëzuar në Gjykatën e Lartë Meta nëpërmjet avokatit të tij, Meta kishte paraqitur një sërë pretendimesh që lidheshin me mosekzistencën e kushteve dhe kritereve ligjore për masë sigurimi shtrënguese. Po ashtu i referohej edhe aspektit politik, pasi si drejtues i një prej forcave politike opozitare, duhet që të marrë pjesë në fushatën elektorale për zgjedhjet parlametare të 11 Majit.

Ish-presidenti u arrestua në 21 Tetor të vitit të shkuar pasi akuzohet nga SPAK se ka konsumuar elementë të veprave penale, “korrupsion pasivë, “pastrim parash” dhe “fshehje e pasurisë”. Me rekurs, Gjykatës së Lartë i është drejtuar edhe Monika Kryemadhi, duke kërkuar heqjen e sekuestros së pronave.

Klan News