Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Është çelur në Gjykatën e Faktit të Tiranës procesi gjyqësor ndaj katër ish-zyrtarëve të lartë të Petrolimex, të akuzuar për shpërdorim detyre në dëm të shtetit. Prokuroria e Tiranës, në akuzën e saj, e konsideron dëmin e shkaktuar rreth 20 milion lekë dhe këto nëpërmjet abuzimeve në dhënien me qira afatgjata të depozitave dhe mjeteve të industrisë së naftës, pronë e shtetit në disfavor të tij.
Në lidhje me këtë dhënie me qira të konsideruara, si arbitrare dhe të padrejta është nën akuzë ish-drejtori i kësaj ndërmarrje Vladimir Puka, ish-kryetari i këshillit mbikëqyrës Viron Andrea dhe dy ish-anëtarë të këtij këshilli Vasillaq Lena dhe Pirro Liko. Katër të akuzuarit gjykohen në gjendje të lirë. Në fillimin e procesit gjyqësor janë paraqitur dy nga të akuzuarit, ndërsa për të pandehurit e tjerë, familjarët kanë deklaruar se jetojnë tashmë jashtë vendit në Amerikë.
Prokurori i çështjes Shkëlqim Hajdari, ka kërkuar nga trupi gjykues, që dy ish-anëtarët e këshillit mbikëqyrës ta Albpretrolit të gjykohen në mungesë, por ka qenë gjyqtari i çështjes Artur Gaxhi, që ka kërkuar nga komisariatet përkatëse të policisë së Tiranës, të bëjë verifikimin në lidhje me vendndodhjen e dy të akuzuarve.
Në lidhje me tenderat dhe abuzimet materiale në Albpetrol, Sindikatat e Pavarura të Naftës kanë dërguar pranë organit të akuzës, kallëzime penale për disa tendera dhe shit-blerje të industrisë së naftës në favor të shoqërive dhe personave privat./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj