Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Gjykata e Faktit Tiranë, lë në fuqi vendimin e këshillit të kujdestarisë, që fëmijët e Erietës dhe Dritan Avdylit, të qëndrojnë në kohë të barabartë si tek gjyshërit nga babai dhe tek gjyshërit nga nëna. Gjyqtari Medi Bici nuk ka pranuar pretendimet e Dritan Avdylit, që nuk njeh këshillin e kujdestarisë pranë këshillit bashkiak, si dhe urdhrin e dhënë, që përmbarimi të çojë Endrin dhe Siborën edhe tek gjyshërit Sokoli.

Gjyqtari Medi Bici:- “Gjyshi dhe gjyshja, kanë të drejtë të kenë marrëdhënie me nipërit dhe mbesat e tyre të mitur edhe kur këtyre u ka vdekur prindi dhe mbahen nga prindi tjetër ose nga persona të tjerë. Kur prindi ose personi tjetër që mban fëmijën, nuk u lejon gjyshërve të drejtën për të pasur marrëdhënie me nipërit dhe mbesat, me kërkesë të tyre vendos këshilli i kujdestarisë”.

Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Faktit, zyra e përmbarimit duhet të kujdeset që fëmijët t’u jepen edhe prindërve të Erietës, por që në sallë i vëllai i Dritanit, Lulzim Avdyli është shprehur se nuk do të lërë askënd të zbatojë këtë vendim.

Lulzim Avdyli:- “Përmbarimi do vijë t’i marri fëmijët pasi të vendosi gjykata për fatin e tim vëllai. Policia nuk mund t’i marri fëmijët dhe t’ia japi akuzuesit të tim vëllai”./tvklan.al