Gjykata e Tiranës vendosi masën arrest në burg për Eduart Lamin i arrestuar për armëmbajtje pa leje ndërsa dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Lulzim Vishës.
Aktualisht ndaj tij rëndon akuza armëmbajtje pa leje. Grupi hetimor është në pritje të përgjigjes nëse gëzhojat e gjetura brenda mjetit ku u ekzekutua Visha janë qitur nga arma që u gjet brenda mjetit të djegur.
Në laborator është dërguar dhe arma e gjetur në banesën e familjes Lami për të verifikuar nëse është përdorur në krim apo jo.
Policia dyshon se vrasja e Lulzim Vishës ka lidhje me konfliktet për pronësinë me familjen Lami. Por para hetuesve, i arrestuari Eduart Lami ka mohuar që të ketë patur sherr me viktimën apo familjarë të tij.
Lulzim Visha, i cili punonte si postier në postën private “Postman” u gjet i vrarë mëngjesin e 24 Janarit 2025 brenda në makinën e kompanisë, në fshatin Zall Mner në zonën mes Kamzës dhe Institutit në Tiranë.
Sipas hetimeve të deritanishme, autorët i kanë zënë pritë më një automjet tip ‘Porsche’, të cilin e dogjën në Zall Herr dhe në të është gjetur edhe arma e krimit.
Gjatë kontrolleve strukturat e rendit gjetën në banesën e familjes Lami, një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak. Për këto armë në pranga është vënë Eduart Lami dhe është shpallur në kërkim Ervis Lami.
Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë. Ai dyshohet se ndihmoi Admir Tafilin të arratiset nga burgu i Drenovës në 23 Nëntor të 2013.
Klan News