Gjykata e Posaçme, pas më shumë se 5 orësh seancë, ka lehtësuar masat e sigurisë për 5 zyrtarë të Universitetit Bujqësor, duke i liruar nga arresti shtëpiak dhe lënë në detyrim paraqitje, Serafin Skënderin, Ilir Kusin, Dritan Laçi, Blenard Spaho dhe Tedi Prodën.

Gjykata konfirmoi masat arrest në burg për administratorin Edmond Tërthorja, Amarildo Lleshin, Mehmet Qoshen, Altin Murton dhe biznesmenin Piro Zoga. Ndërsa në arrest shtëpie mbetën Agim Sefa, Arjan Buliqi, Azem Parllaku, Artur Koleci dhe Radion Dhromi.

Gjykata e Posaçme firmosi të martën 24 masa sigurimi pas dyshimeve për abuzim me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Prokuroria e Posaçme ka hetuar 9 procedura prokurimi me vlerë 90 milionë Leke, në të cilat dyshohet se ka pasur abuzime.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore nga dy zëvendësrektorët: Romina Koto e Ilir Kapaj dhe Bejo Bizhga, me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT. 

SPAK thekson se shkeljet e ligjit janë konstatuar që në fazën e përgatitjes së të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë kompanitë konkurruese, të cilat më pas edhe janë shpallur fitues në tenderat përkatës.

Veprimet e kundraligjshme të të dyshuarve fillonin pasi kishin siguruar fondet nga AKSHI.

Sipas SPAK, në të gjitha procedurat e prokurimit kompanitë fituese “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu.

Klan News