Martin Xheka është larguar nga Shqipëria për në Itali në moshën 15-vjeçare me gomone. Sot ai gjendet në Kurriko, Kili. Në një rrëfim për emisionin “Opinion” në Tv Klan, i riu shpjegon se fillimsht arsyeja e largimit ishin kushtet ekonomike. Kjo e bëri që të merrte i vetëm vendimin për t’u larguar dhe për ta gjetur veten më pas në Brindisi të Italisë.
Martin Xheka: Në moshën 15-vjeçare kur isha në gjimnaz, si gjithë të rinjtë duke parë atë të ardhmen pa shumë shpresë u nisa për Itali me gomone.
Blendi Fevziu: Për Itali me gomone, 15 vjeç?
Martin Xheka: 15 vjeç. Imagjino, familja nuk dinte asgjë. Punoja për të mbledhur ato lekët pa i thënë asnjë gjë familjes që dua të shkoj në Itali edhe pse kisha vëllain në Itali, por avash-avash me ato punët aty që gjeja, kamarier, kishim atë radio stacionin aty afër Cërrikut ku erdhën kinezët dhe po rinovonin gjithçka, edhe kërkonin punëtorë dhe shkoja pas shkolle, punoja aty, mblodha ato lekët.
Blendi Fevziu: Domethënë ti mblodhe lekët që të paguaje gomonen për të ikur në Itali?
Martin Xheka: Po, vendosa domethënë të ikja në Itali dhe vëllai nuk dinte asnjë gjë.
Pasi gjetën kontaktet, gomonia u nis nga Vlora dhe mbërriti në Brindisi. Aty Martini telefonoi të vëllain, ndërkohë që në Shqipëri prindërit ishin alarmuar. I vendosur për të qëndruar, Martini u shpjegoi autoriteteve situatën e tij dhe një histori të lidhur me gjyshin e ndjerë që kishte shpëtuar jetën e një italiani nga gjermanët duke e veshur si grua për 2 vite.
Martin Xheka: Vjen vëllai në Brindisi dhe thotë “ti je i çmendur, ti kaq i vogël, duhet të vazhdoje shkollën” dhe thashë unë duke parë ato mundëistë që nuk ishin shumë të mira, mblodha lekët dhe erdha këtu. Aty më mori vëllai më çoi në Imola, afër Bolonjës, autodromi i Ferrarit dhe u dorëzuam në polici, i tregova historinë time. I thashë që erdha kështu, mora gomonen dhe aty më pyetën “si është ideja jote, do të jetosh këtu, do të kthehesh mbrapsht?” Me mendjen time thashë me gjithë atë sakrificë që mblodha lekët dhe të kthehem mbrapsht, s’e mendoj fare.
Blendi Fevziu: Të haje dhe një dru nga babi në Cërrik që kishe ikur pa leje.
Martin Xheka: Thashë dua të jetoj në Itali se e vërtetë që ne jemi rritur që të vegjël duke parë ato filmat italianë, duke parë shumë gjëra, gjyshi im pas Luftës së Dytë Botërore ka vizituar Italinë sepse ai ka mbajtur një ushtar italian, ka një histori shumë të bukur.
Blendi Fevziu: Gjyshi yt ka mbajtur një ushtar italian gjatë luftës?
Martin Xheka: Po, po e mbajti dy vjet. Imagjino, gjyshi, rahmet pastë se nuk jeton më, tregonte historinë se si e mbajti këtë italianin në fshatin Karbunarë të Lushnjes, e mbante në shtëpinë e vet, kur vinin gjermanët tregonte gjyshi, e vishnin si grua atë ushtarin italian dhe e linin të punonte tokën. Gjermanët kur kalonin, nuk i luanin gratë, as i kontrollonin, i linin të lira dhe i shpëtoi jetën për 2 vjet, ai italiani me atë rast i mësoi gjyshit tim italishten dhe gjyshi im pas Luftës së Dytë Botërore kur hyri pastaj komunizmi, nuk lejoheshin të dilnin nga Shqipëria, unë nuk e kam jetuar këtë jetë…
Blendi Fevziu: E kam jetuar unë, pa merak.
Martin Xheka: Po, edhe me tregimet e gjyshit tim, ai ushtari italian ishte nga Roma dhe me brigadën e Antonio Gramshit, edhe e kërkoi që gjyshi im të shkonte në Itali për vizitë dhe…
Blendi Fevziu: Nuk e lanë besoj.
Martin Xheka: Jo, arriti, shkoi gjyshi im në Itali. Tani me vitet nuk i mbaj mend, por ishte një ndër të parët shqiptarë që ka shkuar në Itali, në kohën e Enver Hoxhës.
Blendi Fevziu: Po ti s’e gjete më ushtarin e gjyshit kur shkove vetë?
Martin Xheka: Jo, ai më duket në moshën 95 vjeç kishte vdekur./tvklan.al