Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Dy deputetët e PBDNJ deklarojnë se nuk janë dakord me vendimin e kryetarit, për të qëndruar besnikë të aleancës me socialistët deri në Korrik. Kristo Goçi dhe Ligoraq Karamelo, të ndjekur dhe nga disa anëtarë të tjerë kanë nisur lëvizjen brenda partisë dhe shprehen, se mund të krijojnë edhe një parti më vete.

Kristo Goçi: “Ne jemi sot një mendim opozitar brenda partisë dhe ky qëndrim është ravijëzuar dalëngadalë dhe në qoftë se nuk kemi asnjë rrugëdalje tjetër, që ta kuptojnë, ne jemi të detyruar që të vazhdojmë e një nga alternativat që mund të jetë edhe largimi nga partia, por asnjëherë largimin nga politika. Ne kemi mundësi që të krijojmë një formacion tjetër politik, në qoftë se nuk do të merremi vesh, në mënyrë të veçantë me kryetarin e partisë”.

Ligoraq Karamelo: “Së bashku me Goçin dhe një grup të madh anëtarësh të PBDNJ, kemi filluar një lëvizje brenda partisë, për të riparë qëndrimin tonë lidhur me problemet politike dhe organizative të partisë, sepse mënyra se si po funksionon partia çalon dhe kjo padyshim po bëhet një pengesë e madhe edhe në drejtim të përfaqësimit të saj politik. Parë në këtë prizëm deklarimet tona është abuzuar edhe me faktin që ne tashmë po bëjmë negociata me PD. Ne kemi mbështetur protestën popullore, si një e drejtë e ligjshme, kemi mbështetur përkrahjen që na ka dhënë PD, sidomos në zgjedhjet e fundit lokale. Deklarimi i zotit Dule për ta riparë qëndrimin në fund të Korrikut për mendimin tim është një spekulim i hapur, është një taktikë për ta pasur mirë me të dyja krahët”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj