Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump është duke shqyrtuar mundësinë që të caktojë Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve Reuters, e cila i referohet katër burimeve të afërta me presidentin e zgjedhur.
Gjithsesi, Karoline Leavitt, zëdhënëse e Trumpit në këtë periudhë tranzicioni, nuk e ka konfirmuar këtë emërim, duke theksuar se do të jetë vetë presidenti i zgjedhur që do t’i bëjë publike vendimet e veta.
Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador amerikan në Gjermani, më pas si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe si shef për inteligjencë kombëtare në mandatin e parë të Trumpit si president, në periudhën 2017-2021 ka bërë thirrje më parë për krijim të “zonave autonome” si mënyrë për dhënie fund të konfliktit.
Ai po ashtu ka sugjeruar se nuk do të ishte në favor të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, në të ardhmen e afërt. Donald Trump vijoi emërimet e tjera në administratën e re, teksa zgjodhi investitorin Scott Bessent për të marrë rolin e sekretarit të thesarit të SHBA-së.
Ai gjithashtu nominoi ish-zyrtarin e Departamentit të Shtetit, Alex Uong për të shërbyer si zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare dhe Sebastian Gorka si drejtor i lartë i Shtëpisë së Bardhë për antiterrorizmin.
Tv Klan