Për shkak të një greve 1-ditore të punonjësve të doganave greke, ditën e premte do të pezullohet qarkullimi i automjeteve drejt vendit fqinj në pikat kufitare të Kakavijës, Qafë Botës dhe “3 urat”.
Bëhet e ditur se bllokimi do të jetë në fuqi nga ora 7 e mëngjesit deri në 23 të mbrëmjes dhe gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore.
Policia Kufitare apelon që qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare deri në një njoftim të dytë.
“Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit është njoftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më datë 28.02.2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot – Sarandë dhe PKK Tre Urat – Përmet do të zhvillojnë grevë, dhe për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve. Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat). Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftimin e policisë.
/tvklan.al