MIE: Faji i LSI. PD: Punimet iu dhanë firmës së Edmond Begos
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pranuar zyrtarisht se Shqipëria ka humbur në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit çështjen me kompaninë që kishte fituar ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan “Copri Aktor”. Por për qeverinë, fajin që buxhetit i duhet të paguajë si penalitet 44.7 milionë euro për moszbatimin e kontratës me firmën greke, e kanë demokratët dhe ish-drejtuesit e Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit Rrugor në mandatin e parë, pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët.”
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i kujton edhe selisë blu përgjegjësinë e saj për projektin e gabuar, mungesën e studimit gjeologjik dhe kostove shtesë që duhet të paguheshin më vonë, pasi kontrata ishte prokuruar. Por në një reagim të saj Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme për Krime të Rënda që të hetojë, pasi sipas saj, firma greke është detyruar të marrë si nënkontraktor kompaninë e ish-të dënuarit për trafik droge Edmond Begos, firma e të cilit nuk duhet të përfitojë para publike, pasi ndalohet pjesëmarrja në tendera e ish-të dënuarve.
“Pagesat për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë-Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën. Lista e pagesave tregon se punimet e trafikantit të Taulant Ballës janë kryer për firmën “Aktor” nga viti 2015 deri në vitin 2018 në kundërshtim me ligjet e vendit.”
Kompania “Copri Aktor” pretendoi për mosshlyerje të detyrimeve nga ana e shtetit shqiptar, i cili i kishte kërkuar punime shtesë për segmentin Tiranë-Elbasan, pa e paguar atë për kostot e punës së kryer. Gjykata e Arbitrazhit vendosi kompensimin e saj me 30 milionë euro për kontratën e prishur për pagesën e punimeve në segmentin 1 në Tetor 2017 dhe 14 milionë të tjera për kontratën e punimeve në segmentin 3, e prishur nga ana e palës shqiptare më Shtator 2017. Në këtë periudhë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar tashmë nga socialistët nisi një proces auditi për punimet në aksin Tiranë-Elbasan, ku konstatoi shkelje të shumta dhe dëm ekonomik nga ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor, ndërsa e depozitoi dosjen në prokurori.
Tv Klan