Zeinab Baydoun, një qytetare libaneze-amerikane ka abstenuar në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Pasi ka votuar gjithmonë në bazë të politikave të kandidatëve, 36-vjeçarja tha se ishte e zhgënjyer për politikat e jashtme të kandidates demokrate Kamala Harris dhe kandidatit republikan Donald Trump.
Familja e Baydoun emigroi në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1990 nga vendlindja e saj Bint Jbeil, në Libanin jugor. E rritur në Michigan, ajo u kthye në Bejrut në dhjetor 2022 për t’u kujdesur për babanë e saj të sëmurë,disa muaj përpara se grupi i armatosur libanez Hezbollah dhe Izraeli të fillonin luftimet paralelisht me luftën në Gaza.
“Në fakt, si arabo-amerikane, gjithmonë kam votuar në zgjedhje. Këtë here kam abstenuar. Nuk votova as si demokrate apo republikane. Unë votoj gjithmonë sipas politikave dhe planeve ekonomike të kandidatëve. Por këtë vit vendosa të abstenoj”.
Baydoun tha se qëndrimi i Uashingtonit ndaj luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut e bëri atë të ndihej e zhgënjyer.
“Ne kishim shpresuar se SHBA do të bënte gjithçka për të ndaluar këtë luftë. Kamala, si zëvendëspresidente për katër vjet mund të kishte bërë diçka për këtë. Unë e kam mbështetur gjithmonë Presidentin Trump. Por kur ai tha se Izraeli duket i vogël dhe ai po mendon, nëse ne mund ta bëjmë atë më të madh, unë kam frikë tani”.
Me fillimin e sulmeve izraelite në Liban, Baydoun ka humbur të afërmit dhe miqtë në vendlindjen e saj dhe ajo vetë duhej të largohej nga apartamenti i saj në Bejrut pas sulmeve në lagjen e saj.
“Ne nuk dimë asgjë për shtëpitë tona. Ne nuk e dimë se kur do të na bombardojnë, do të na masakrojnë. Dhe të gjitha janë nga paratë tona të taksave (SHBA)”.
Me gjithë intensifikimin e luftimeve, Baydoun vendosi të qëndronte në Liban pasi nuk mund të përballonte të linte familjen e saj.
“Kam menduar në periudha të ndryshme të shkoj në Shtetet e Bashkuara tani, por gjëja është se nuk mund ta lë familjen time pas. Kjo është gjëja e vështirë”.
Grupi i armatosur libanez Hezbollah dhe Izraeli kanë kryer luftime për një vit paralelisht me luftën në Gaza, por sulmet janë përshkallëzuar javët e fundit.
Klan News