Rubrika “Sy më sy” e kryeministrit Edi Rama mëngjesin e kësaj të enjteje nisi ndryshe nga herët e tjera. Gjatë komunikimit virtual me qytetarët ai pati një telefonatë të papritur nga ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i cili nxori “zbuluar” planet e qeverisë.
Sipas asaj që u kuptua nga biseda me ministrin Gonxhja dhe nga ajo që vetë kryeministri Edi Rama tha për qytetarët, më 2 Mars në Athinë do të zhvillohet një panair i cili do të vërë në kontakt kompani shqiptare të çdo fushe me bashkatdhetarët shqiptarë.
“Kemi një panair të madh në Athinë më 2 Mars. Në një ditë e gjatë me shumë aktivitete, ku synojmë që të vëmë në kontakt të drejtpërdrejtë shumë kompani shqiptare të Shqipërisë, në ndërtim, në turizëm në inovacion me bashkatdhetarët tanë në Athinë. Edhe më gjerë mbase, por fillimisht në Athinë. Gjithë materiali do të jetë në dispozicion në një faqe web online, ku të gjithë mund të hyjnë dhe të shikojnë mundësitë që janë për të lidhur kontrata pune në Shqipëri. Qoftë kontrata pune sezonale për turizmin, qoftë kontrata punë gjithëvjetore në turizëm, ndërtim apo dhe në fusha të tjera. Sfida është që të thyejmë këtë stereotipin sipas të cilit pagat në Shqipëri janë shumë të ulëta, në Shqipëri mundësitë janë të pakta. Ta thyejmë stereotipin me fakte konkrete, me pasqyra konkrete që janë të aksesueshme dhe në të cilat mund të shihen kontratat dhe modelet e kontratave”, tha Edi Rama./tvklan.al