Që në ditën e parë të panairit, interesi i të rinjve për t’u njohur nga afër me mundësitë e punësimit ishte i lartë.

Duke marrë shkas nga mundësitë e shumta në sektorë të ndryshëm, zv/Ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani kishte një thirrje për të rinjtë e sapodiplomuar.

“Sot këtu janë mijëra vende pune të hapura për punëkërkuesit, veçanërisht për sapo të diplomuarit. Të gjithë ata të rinj të cilët duan të hedhin hapat e tyre të parë në karrierë mund ta përdorin këtë panair pikërisht për këtë, të aplikojnë për punë dhe të njihen me praktikat profesionale apo dhe me bursat e studimit”, tha Olta Manjani.     

Për të gjithë punëkërkuesit që nuk kanë mundësi të njihen nga afër me ofertat e punësimit në panairin “Work & Study”, mund të aplikojnë edhe nëpërmjet platformave online.

“Platforma puna.gov.al është tashmë një realitet i ri, i cili shërben si një motorr unik i vendeve të lira të punës. Aplikimi online për punësim është një lehtësi e madhe për qytetarët të cilët mund të eksplorojnë mundësitë e punës dhe mund të aplikojnë direkt nga shtëpia”, tha Klevis Hysa.  

Për të gjithë të interesuarit, panairi “Work & Study” në Pallatin e Kongreseve do të jetë i hapur deri të premten pasdite.

Klan News