Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar sërish se do të rrëzohet çështja e demarkacionit në Parlament. Haradinaj u shpreh se versioni i marrëveshjes së demarkacionit nuk mund të kalojë në Kuvend. Këtë deklaratë ai e bëri teksa doli në një konferencë me familjarë të heronjve Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Haradinaj tregoi edhe njëherë se për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit janë të ndarë.

“Gjendja s’ka ndryshuar. Diçka të re nuk ka për shkak se jemi të ndarë në parlament. Versioni i tashnishëm nuk e ka shumicën, megjithatë kjo nuk e pengon kryesinë për të proceduar më tutje”,

tha Haradinaj.

Ai konstatoi se duhet gjetur një zgjidhje për demarkacionin që nuk e dëmton Kosovën.

“Derisa nuk është në seancë plenare duhet të punojmë për një zgjidhje, mirëpo një zgjidhje që e ruan substancën, që e ruan të drejtën e Kosovës

”, tha Haradinaj. Theksojmë se ditën e martë kryeministri i Kosovës do të jetë për një vizitë në Malin e Zi.

/tvklan.al