Të udhëtosh me tren në Shqipëri ka vite që nuk është as luks dhe as kënaqësi. Përveç linjës Tiranë-Durrës, trenat e tjerë ofrojnë kushte të mjerueshme. Ndërkohë që shpejtësia e lokomotivave shpesh herë nuk i kalon të 60 apo 70 km/orë.
Ata udhëtarë që preferojnë linjat hekurudhore e shikojnë si zgjidhje të detyruar dhe e bëjnë për shkak të çmimit të ulët të biletës.
Qytetar: “Po të shkosh për shembull në Lezhë me një fugon do shumë para, do 4 mijë lekë, kurse me tren shkojnë 120 lekë”
Qytetarja 1: “Është më e lirë dhe më përpara është siguria. Je më i sigurtë më tren sesa me makinat e tjera.
Qytetarja 2: “O mizerje fare, ky tren që shikoj unë sot më duket sikur po e shoh në Indi ose andej nga Iraku nga këto. Ç’është ky tren kaq i shkatërruar.”
Drejtuesit e hekurudhës thonë së shkak për amortizimin e shërbimit hekurudhor është mungesa e investimeve.
Zamir Ramadani: “Hekurudhat shqiptare për herë të parë pas 60 e sa vitesh ekzistencë e saj. Kalon një sistem të ri organizimi, pra ne ndajmë në njësi biznesi në vete transportin e pasagjerit, ndajmë në njësi në vete biznesin e transportit të mallit. Ne prapë nuk entuziazmohemi nga puna e deritanishme. Kuptohet që edhe masat për vitin e ardhshëm janë mjaft optimiste në drejtim të rritjes të përmisimit të kushteve të lëvizjes së trenave në hekurudhën shqiptare.”
Sipas statistikave zyrtare numri i udhëtarëve në linjat hekurudhore vetëm për një vit arrin në 1.2 milion. Ashtu si gjithë sektorët e tjerë edhe hekurudhat pritet ti nënshtrohen procesit të privatizimit. Gjë që shihet si një mundësi për përmisimin e shërbimit. /tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi