Tre armët e përdorura në atentatin e mëngjesit të së dielës në Vlorë janë vënë në fokusin e hetuseve që po përpqien të zbardhin ngjarjen. Pistoleta e gjakosur e gjetur në vendin e ngjarjes është e një lloji përgjithësisht të rrallë në Shqipëri.

Burime nga grupi i hetimit thanë se dyshojnë që kjo “Berreta Tanfoglio” të jetë përdorur nga i plagosuri Ferdinand Llanaj në përgjigje të breshërive të kallashnikovit nga ana e atentatorëve. Sipas të njëjtave burime, ajo është e kalibrit 9 mm dhe sapo të përfundojë ekspertiza, të dhënat do t’i përcillen Interpolit. Hetuesit kërkojnë të konfirmojnë nëse arma është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale brenda apo jashtë vendit.

Hetimet janë përqëndruar edhe te dy automatikët “Kallashnikov” të përdorura nga autorët. Burimet nga policia e Vlorës thanë se armët e gjetura të djegura brenda automjetit tip “BMW” janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalist të policisë. Ekspertët kanë vënë re se ato ishin djegur tërësisht, ç’ka ka bërë që të mos zbulohet asnjë gjurmë e përdoruesve.

Paralelisht hetuesit thonë se po mbledhin e informacione mbi atentatorët e mundshëm. Pista kryesore lidhet hakmarrjen, për vrasjen e trefishtë që vëllai i Llanajt, ka kryer në prill të vitit 2015.

Tv Klan