Gjestet e vogla me rëndësi të madhe që ndihmojnë të kalosh momentet e vështira. Këtë kujton balerina e TKOB, Elona Nallbani nga çasti kur humbi nënën në moshën 21-vjeçare. E trishtuar, e dëshpëruar dhe në një gjendje të traumatizuar, rrëfen në “Shije Shtëpie” në TV Klan se shpëtimtari që i zgjati dorën në atë moment, ishte koreografi i ndjerë Agron Aliaj.

Elona Nallbani: Një nga momentet e mia më të vështira në fakt, por që nuk ishe thjesht një shtrëngim dore por ishte  një veprim, ishte momenti kur sapo më kishte vdekur ime më. Unë isha vetëm 21 vjeç dhe në fakt, sinqerisht ka qenë dhe do ngelet një nga traumat më ë mëedha të jetës time. E papërballueshme, e paimagjinueshme, më erdhi shumë shpejt, tak-fak. Mbaj mend që kur shkoja në Teatrin e Operas dhe Baletit, futesha në sallën e baletit, sapo fillonte pianoja unë isha në një depresion të thellë. Nuk punoja, nuk bëja as ushtrime, asgjë, vetëm qaja, ulesha dhe vetëm qaja ose edhe nëse nuk qaja, isha në një cep aty.

I ndjeri, koreografi Agron Aliaj do ia di dhe i jam shumë mirënjohëse për gjithë jetën për këtë moment, e shikonte dhe u bë ditë pas dite që nuk po dilja nga kjo gjendje, ngrihet dhe më thotë “shiko Nallbani”, se me mbiemër më thërriste, “do bëjmë një recital” më tha mua. Çfarë thua more profesor, unë nuk di ku jam, çfarë recitali po flasim? “Edhe mos e diskuto”, më tha mua, “do bëjmë recital, është momenti ti të shenjosh në karrierën tënde” sepse në atë kohë në fakt recitalet ishin diçka shumë e veçantë, nuk ndodhte të bëje dot sepse ishte goxha përkushtim, ishte punë e jotja, e atij që do punonte me ty dhe sigurisht e artistëve pjesëmarrës sepse ishte një spektakël në vetvete dhe flasim në vitet ’90 e pak.

Elona shton se në rastet kur gjendja e saj emocionale nuk është në ditët më të mira, i reflektohet edhe në fuqinë fizike. Megjithatë, recitali u realizua dhe gjatë tij kishte një krah tjetër ku mbështetej teksa ndodhej në prapaskenë: bashkëshortin. Ai e ndihmonte me përgatitjet dhe komplimenti i parë  prej tij, paksa i çuditshëm për një balerinë ishte: “sa bukur që rrije në majë të gishtave”, kujton Elona me humor.

Pas recitalit, vijoi një banket ku ai e surprizoi me një buqetë me 21-22 trëndafila gjysmë të çelur. Në këtë moment, koreografi Agron Aliaj, për të cilin balerina rrëfen se ishte një njeri shumë shpirtëror, pati një kërkesë shumë modeste për të.

Elona Nallbani: “Të lutem, a ta marr një trëndafil profesori nga këto?”, më tha mua. Ua, profesor, të gjithë tufën, i thashë unë, isha aq e lumtur sa të thosha po prit. “Jo”, më tha mua dhe tamam është ajo pjesa që ty të rrëmben emocioni, kënaqësia, ti e mbylle atë gjënë dhe tha “jo, kjo është nata jote. Mua më mjafton vetëm kjo gonxhe, është një mrekulli dhe nuk i rezistoja dot kësaj gjëje kaq të bukur,këtij mendimi kaq të bukur”./tvklan.al