Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ilir Meta është treguar shumë i ashpër me qeverinë dhe me disa nga ministrat e kësaj qeverie. Duke u përpjekur për të sqaruar socialistët në Skrapar, konfliktin e interesave, ish-kryeministi Meta ka marrë dy shembuj nga qeveria Nano.

Ilir Meta: “Konflikti i interesave është pozita jote publike, fjala vjen si ministër, është në kundërshtim me interesat e tua private. Private si biznesmen, apo private, si përfaqësues i grupeve të caktuara, apo i interesave të të afërmeve tuaj. Doni t’u them disa raste, ja ku po ua them shumë shkurt, zoti Agron Duka është në një konflikt të thellë interesi, midis bizneseve të tij në fushën e bujqësisë dhe postit të tij publik si Ministër i Bujqësisë, përveç se ai vetë e deklaron që është i djathtë dhe besoj se të gjithë e ndjeni që bujqësia ka jo pak probleme, që vetë i ka kritikuar vazhdimisht edhe kryeministri aktual. Për hirë të detyrimeve të tij personale, ndaj zotit Duka dhe cilitdo tjetër, unë mendoj se ky sektor kaq i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, nuk duhet të vazhdojë më në këtë rrugë pa krye. Çfarë konflikti tjetër interesi doni më shumë, se sa kur ministri Anastas Angjeli privatizon hotel Tiranën për 5 milion euro? A e keni ndjekur ju privatizimin? A e keni parë listën e atyre që kanë marrë hotel Tiranën, kur gjysma e tyre janë njerëz të afërm të ministrave? Prandaj nuk bëhen rrugë këtu, prandaj nuk bëhen ujësjellësa këtu, sepse hotel Tirana, vetëm për rikonstruksionin ka marrë 17 milion dollarë”.

Meta ishte në Skrapar për të marrë pjesë në konferencën e këtij rrethi. Që në fillim ai deklaroi, se socialistët janë kokulur si forcë politike, pasi nuk kanë mbajtur premtimet elektorale. Sipas ish-kryeministrit në dy vitet e fundit shpenzimet për fondet publike janë ulur në masën e 120 milion dollarëve./tvklan.al