Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ilir Meta: “Qeveria aktuale ka dështuar në procesin e integrimit evropian, sepse nuk ka mbajtur deri tani premtimet publike, për të cilat është angazhuar përpara parlamentit, opinionit publik dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. Kësaj qeverie, por edhe klasës politike në përgjithësi, i mungon vullneti politik, për të ndërmarrë reformat që kërkon integrimi, pasi kjo do të sillte shkatërrimin e kësaj ngrehine politike, që bazohet mbi abuzimin, mungesën e transparencës dhe të korrupsionit, të këtij pushteti që bazohet mbi autokracinë monopolet dhe shpërdorimin e votës”.

Ky fjalim i ish-kryeministrit Ilir Meta, ka ngjallur debate brenda grupit parlamentar socialist. Deputetët Braçe, Malaj dhe Çukaj, kërkuan që të respektohet disiplina brenda partisë edhe pse kjo është kundërshtuar nga mbështetës të ish-kryeministrit Ilir Meta. Kreu i grupit parlamentar Ruçi, i ka kërkuar më pas kryetarit të Kuvendit, që të mos përfshijë në minutazhin e partisë fjalën e deputetëve socialistë që shprehen kundër qeverisjes.

Pas vizitës së tij në një familje dëshmori, ish-kryeministri Meta u shpreh, se në javët në vazhdim do të ketë zhvillime, për t’u dhënë përgjigjen e merituar të gjithë atyre që shfrytëzojnë interesat e atdheut për interesa personale.

Ilir Meta: “Por edhe një përgjigje më të qartë, do ta marrin në ditët, në javët dhe n muajt e ardhshëm, sepse mendoj që sot në këtë 5 maj, le të mos merremi të paktën sot me të gjithë ata që po sakrifikojnë interesat e atdheut, për shkak të interesave të tyre”.

Edhe deputeti Dizdari paralajmëron, se ende nuk janë thënë të gjitha. Ai kërkon respektim të vendimeve të kongresit të partisë, përndryshe të mos kërcënohet më me lojëra fjalësh.

Limoz Dizdari: “Pra në qoftë se këta duhet të përjashtoheshin se kanë votuar kundra një qeverie, siç ishin ato ministrat që u kundërshtuan nga ne si një grup deputetesh, duhej të mbahej qëndrim, të përjashtoheshin e në rregull, po kështu tërhiq e mos këput, kjo është e pafalshme”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj