Përfaqësues nga 38 shtete të ndryshme dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO dhe BE u bënë pjesë e punimeve të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Sigurinë Industriale. Gjatë fjalë së saj në këtë aktivitet, Zv/Kryeministrja Belinda Balluku nënvizoi se siguria mbetet një nga fushat me delikate dhe të rëndësishme kudo.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Aleatë dhe partnerë të mbledhur së bashku në këtë plenium të rëndësishëm mbi sigurinë industriale, një temë kritike për sigurinë tonë kombëtare, por edhe atë kolektive. Nëse ka një fushë më specifike në të cilën asnjë nga ne nuk bën dot i vetëm padyshim është siguria. Në dekadën e fundit fusha e sigurisë është transformuar në mënyrë dramatike dhe bashkë me këtë ndryshim janë shtuar edhe kërkesat për zgjerimin e industrive tona të mbrojtjes.
Balluku tha me tej se Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, e ka kuptuar kërkesën strategjike për krijimin e një industrie të fortë të mbrojtjes.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës: Shqipëria ka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes. Për të thënë të drejtën ky takim zhvillohet pikërisht në një moment shumë deçiziv për ringjalljen e industrisë tonë të mbrojtjes, kur vetëm në mbyllje të sesionit veror të parlamentit ne kemi arritur që të kalojmë një sërë ligjesh, të cilat tashmë kanë nisur zbatimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para.
Për sigurinë industriale si pjesë kritike për mbrojtjen kolektive, Grupi i Punës Shumëkombësh për Sigurinë luan një rol thelbësor në adresimin e këtyre çështjeve.
Klan News