Nëse ndryshimi i vetes dhe jetës për shkak të mëmësisë do mund të përcaktohej me një përqindje, për Hilda Goricën është “më shumë se 100%”. Moderatorja është nënë e një vajze e cila ende nuk ka bërë 1 vjeç dhe duket se tashmë e sheh jetën përmes një spektri tjetër.
Por në ndryshimet që ka pësuar, ajo ka ndier edhe konfuzionin, humbjen e fokusit dhe zhvendosjen e tij, të cilat i përshkruan në një rrëfim të sinqertë për “Shije Shtëpie” në Tv Klan.
Hilda Gorica: Para, dihet se si ka qenë, unë isha e fokusuar vetëm te vetja. Isha shumë e fokusuar te puna, le të themi që unë isha qendra e botës time dhe sigurisht që pasi lindi Gaia u transformua totalisht, ishte Gaia qendra e botës time dhe sigurisht muajt e parë ishin shumë të vështirë. Nuk e di se si është për mamatë e tjera, për mua ka qenë e vështirë.
Agida Koçi: Ti si e mendoje, e mendoje të vështirë apo mendoje që do ishin shumë të bukur?
Hilda Gorica: Jo, nuk e mendoja aq të vështirë të them të vërtetën, nuk e kisha imagjinuar aq të lodhshme dhe nuk e kisha imagjinuar aq të vështirë ndryshimin. Unë isha mësuar që kur zgjohesha në mëngjes, sa hapja sytë të kujdesesha për veten duke filluar nga çdo gjë, te detajet e vogla, të krihja flokët, të bëja make up-in, të kujdesesha për atë ushqimin tim të shëndetshëm. Kur lindi Gaia, unë gjëja e parë që mendoja kur hapja sytë ishte se si të kujdesesha për atë që sigurisht ajo të ishte e sigurt, e shëndetshme, sidomos muajt e parë që është bebe e vogël dhe ka nevojë për ty 24 orë, 100% të kohës. Kjo ishte pak e vështirë për të kaluar.
Javët e para kam qenë në një gjendje mohimi le të themi sepse doja që të rikthehesha sa më shpejt në jetën time të vjetër dhe kjo s’po më lejonte që as të shijoja statusin tim të ri dhe as të shijoja ditët e para me gocën… se u emocionova pak tani. Pastaj sigurisht që përshtatja erdhi avash-avash, ditë pas dite e kuptoja që kjo është jeta ime e re por në një kuptim të mirë. Tani mund ta them që Gaia më ka ndryshuar 100% por për mirë. Unë jam më e fortë, arrij të menaxhoj kohën time shumë më mirë. Në qoftë se më përpara mendoja dhe thoja s’kam kohë për këtë, s’kam kohë për atë, nuk e kisha idenë se çfarë do të thotë të jesh mami dhe të duash të bësh edhe gjërat e tjera./tvklan.al