Juristi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, thotë se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në ambientet e Kryeministrisë javën e kaluar.
I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Kaso u shpreh se BKH ka sekuestruar disa materiale në Kryeministri, mes të tjerave edhe laptopin e Ëngjëll Agaçit, tashmë ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Për këtë arsye, sipas Ivi Kasos, z.Agaçi është arratisur.
“Informacioni është që ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi nuk dihet ku është, me porosi të Kryeministrit për t’ju shmangur drejtësisë. Është informacion i konfirmuar edhe nga gazetarë, javën e kaluar ka patur mësymje të oficerëve të BKH deri vonë në Kryeministri, janë sekuestruar materiale të tjera, thuhet edhe laptopi i ish-Sekretarit të Përgjithshëm. Janë informacione ende sot të pamohuara.
Në qoftë se informacionet do ishin pa asnjë bazë reale, nëse nuk do ndodhte as mësyumja e BKH në orët e vona në Kryeministri, informacionet kanë qarkulluar mes gazetarëve, përsa kohë janë thënë nga burime të ndryshme, publikisht, kemi arsye të forta për të besuar”, u shpreh Ivi Kaso.
/tvklan.al