Rubrika “Ligji i rrugës” në programin “Rudina” në Tv Klan trajton problematikat që shfaqen në jetën e përditshme, por nuk ka hapësira ligjore për to. Një nga rastet janë konfliktet fizike dhe sulmi që mund të vijë nga dikush, por deri në ç’pikë jemi të mbrojtur ligjërisht sa për të reaguar? Avokatja Margarita Kola thotë se kur dikush kërcënon jetën tuaj dhe ju kundërsulmoni, jeni në kushtet e vetëmbrojtjes.

Margarita Kola: Një situatë që ta bëj fare konkrete. Një person është duke u konfliktuar me ty dhe nxjerr thikën, po vjen të të godasë. Atëherë je në kushtet për të mbrojtur veten dhe në këto kushte, neni 19 nuk të bën me përëgjegjësi penale sepse edhe nëse ti e godet mbrapsht apo mbrohesh nga ky sulm nëpërmjet një sulmi tjetër, je në kushtet e vetëmbrojtjes.

Rastet kur sulmi ndodh por nuk është i rrezikshëm, duhet shmangur reagimi pasi mund të gjendemi përpara përgjegjësisë penale.

Margarita Kola: Vendosja e duarve në fyt është mbytje, rrezikon jetën, rrezikon seriozisht shëndetin tënd. Në këto raste, personi tjetër sigurisht që do të reagojë dhe është në kushtet e mbrojtjes së nevojshme sepse i rrezikohet jeta, shëndeti i tij. Le të marrim një situatë tjetër, një grusht. Grushti është më i zakonshmi në një zënie. Nëse dikush atë grushtin që të godet, të godet në pjesë të cilat nuk rrezikojnë jetën është mirë që të mos reagosh sepse futesh në diskutimin që ishte i rrezikshëm sulmi i tjetrit për jetën apo jo kështu që në këto kushte nuk duhet të reagosh, duhet të  largohesh.

Rudina Magjistari: Po kur ai është fyes, lëndues, të prek në personalitet, në integritet?

Margarita Kola: Në këto raste jo.

Rudina Magjistari: Pra ti nuk duhet të reagosh fare nëse dikush të qëllon, ti duhet të reagosh me ftohtësi e durim.

Margarita Kola: Vetëm nëse goditja është e tillë që seriozisht rrezikon jetën dhe shëndetin tënd, ajo që e bën të vështirë është që në të dhjetat e sekondës ti ta mendosh këtë gjë dhe ta ndash sa rrezikshmëri dhe si e percepton ti rrezikshmërinë. Në rastet e tjera, kur nuk është i rrezikshëm për jetën nuk jemi në kushtet e nenit 19 dhe dënohesh, ke përgjegjësi penale./tvklan.al