“Duhet t’u japim fëmijëve pasaportën europiane”, kështu u është drejtuar kryeministri i vendit Edi Rama socialistëve në Tiranë. Edhe në këtë takim, ai vuri theksin te misioni i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Duhet të ulemi si të barabartë në atë tryezë. Të bëjmë atë që breza të tërë e kanë ëndërruar”, tha ai.


Megjithatë nuk la pa “sulmuar” opozitarët dhe kryedemokratin Sali Berisha duke kujtuar kohën kur ata ishin forcë qeverisëse.

“Zhabat janë plakur. Bretkosat janë sfilitur, zhapikët janë çmendur…Por ama, aty janë me bufin në krye, që është si ajo që thotë “jep shpirt, por s’heq dorë”. Po ta bënim këtë mbledhje në 2013-ën, do e bënim me gjeneratorë dhe po të ecnim në Tiranë, s’flas për 5 Majin se nga aty duhet të ikje pa perënduar dielli se mund të humbje në gropë edhe po të ishe 2 metra si unë. Në çdo 5 metra kishte gjenerator. Janë dhe ca të tjera që futen në kënetë, pastaj dalin në televizor. Edhe përqeshin…”, u shpreh Rama.

“Noc Rrokun do ua çojmë për dhëndër atyre që nuk e mendojnë fitoren si shoqen tonë”, paralajmëroi ai demokratët për zgjedhjet më 11 Maj.

Edhe në mëngjes, përmes rubrikës së tij “Sy m’Sy”, Rama foli pikërisht për negociatat me BE-në, duke u bërë thirrje qytetarëve ta shohin si një mision patriotik dhe më të rëndësishmin aktualisht. Patjetër, nuk la pas thumbat e ironitë për atë që ai e cilëson “kënetë”.

/tvklan.al