Liljana Cingu, valltarja ikonë e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve popullore ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës në moshën 74-vjeçare. Ditën e sotme ajo është përcjellë për në banesën e fundit pas homazheve të mbajtura në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ku miqtë e kolegët i kanë dhënë lamtumirën e trishtë.

Mes miqve të  Lili Cingut, është edhe këngëtarja e dashur Merita Halili. Në një lidhje direkte me  “Rudina” në Tv Klan, artistja flet për marrëdhënien e saj të veçantë me valltaren, e cila ishte jo vetëm shoqe, por edhe mentore për të.

Merita Halili: Në radhë të parë dua të ngushëlloj familjen e Lilit dhe të gjithë Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, të gjithë kolegët tanë për humbjen e Lilit dhe gjithë popullin shqiptar. Si e njohim Lilin? Unë e njoh Lilin që 16 vjeçe, që kur hyra në ansambël. Ajo s’sishte vetëm shoqja, ishte mentorja ime. Më ka  ndjekur në çdo moment, më ka këshilluar në çdo moment, ashtu si çdo artiste ajo e ndiente vërtet edhe talentin tim dhe ne e kemi vazhduar shoqërinë deri në minutat e fundit që ajo ndërroi jetë. Çfarë mund të them  për Lilin?

Merita kujton edhe takimin e fundit me Lili Cingun, të zhvilluar në një dhomë të bardhë spitali pasi gjendja e valltares ishte rënduar për shkak të një sëmundjeje.

Merita Halili: Gjatë muajit dhjetor ne erdhëm bashkë me Raifin për një program që kishim dhe morëm vesh që Lili nuk ishte në gjendje të mirë dhe e vizituam në spital atë ditë. Atë ditë e pashë për herë të fundit gjallë, pastaj kemi folur në telefon bashkë, kur ajo kishte mundësi të fliste sepse s’ishte në gjendje, po ngarkohej gjendja.

Lili Cingu la në skenë një trashëgimi të madhe artistike, mbi 200 valle të trevave shqiptare të kërcyera  me mjeshtëri e hijeshi, por Merita e përshkruan po kaq të dashur edhe pas kuintave.

Merita Halili: Lili ishte humane në radhë të parë, Lili bënte për të gjithë. Lili kur unë dilja në skenë gjithmonë më rregullonte, më ngrinte dimiqtë, më rregullonte kapelen jo vetëm mua,  por shumë artistëve. Gjithmonë kujdesej për të gjithë. Lili ishte shumë e sinqertë dhe nga sinqeriteti i saj më inspironte, më jepte gjithmonë këshilla, Merita duhet të jesh kështu, duhet të jesh shumë e afërt me publikun. Kur ishe pranë saj ti ndiheshe gjithmonë shumë e sigurt. Gjithmonë krijonte organizime me vajzat e baletit, sa herë që unë vija në Shqipëri, ne mblidheshim gjithmonë dhe mbanim gjithmonë kontakt me vajzat dhe djemtë e baletit, mblidheshim për dreka ose darka. Lili ishte gjithmonë pranë shoqërisë, pranë ambientit dhe i krijonte me shumë finesë, me shumë elegancë të gjitha. Pas kuintave, mezi prisja ta shikoja pasi mbaroja interpretimin, i thosha si dola, si ishte dhe ajo të më jepte mua gjithmonë këshilla “sot ishe mirë, dole bukur, kujdes”. Për mua, nuk ishte vetëm një shoqe dhe unë ia kam dhënë atë status sepse jam shumë e prekur dhe e pikëlluar për humbjen e një ikone shqiptare.

Rudina Magjistari: Sa i përket jetës së saj private, dimë që Lili Cingu nuk ka pasur fëmijë apo jo?

Merita Halili: Jo, Lili nuk ka patur fëmijë. Lili ka patur vallen. Çdo gjë që ka patur të jetës së saj ajo e ka shprehur në skenë, me popullin, me të gjithë dhe ishte shumë e afërt me kolegët e saj, dedikuar artit, valles. Ajo ishte gjithçka për Lilin./tvklan.al