Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, ka vizituar qytetin e Gjirokastrës në kuadër të turit të saj “Gratë për gratë” .

Duke u ndalur në fillim në spitalin rajonal kryetarja Topalli ka deklaruar se do të mundësohen aparatura mamografike për këtë spital dhe të tjerë në vend që lufta kundër kancerit të gjirit të jetë sa më efektive. 

Nga takimi me gjirokastritët në kalanë e Gjirokastrës kryetarja e kuvendit ka bërë thirrje për më shumë kujdes ndaj shëndetit femëror.

Jozefina Topalli: “Në qoftë se ne dimë të kalojmë ca tabu të një kulture pak që na ka lënë mbrapa, në qoftë se ne bëjmë kujdes që t’i kërkojmë vetes, që të mbrojmë veten tonë dhe të marrim masa parandaluese. Bëni kujdes për shëndetin tuaj! Shkoni e bëni kontrolle për shëndetin tuaj, por përpara jush për fëmijët tuaj. Përpiquni që të sensibilizoni”.

Në kuadër të përfshirjes së grave në vendimmarrje kryetarja e Kuvendit ka ftuar gratë dhe vajzat të marrin pjesë në garë për të nisur një rrugë të suksesshme në politikë.

Jozefina Topalli: “Unë jam partizane e një ftese të madhe që i drejtoj çdo gruaje, çdo motre, çdo zonje që ato të hyjnë në garë, që ato të konkurrojnë.”

Gjatë vizitës së saj në Gjirokastër kryetarja e Kuvendit ka vizituar edhe një qëndistari, ku gratë dhe vajzat gjirokastrite shpalosin artin e tyre./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani